KLSH zbulon shkelje në Bashkinë Himarë: Probleme me taksat, tenderat dhe investimet publike gjatë drejtimit të Vangjel Tavos
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka evidentuar një sërë problematikash në administrimin financiar të Bashkisë Himarë, përfshirë raportimin e pasaktë të detyrimeve, mosmbledhjen e taksave dhe parregullsi në procedurat e prokurimit publik.
Raporti përfundimtar i auditimit përfshin periudhën 2023–2025, si dhe verifikimin e gjetjeve nga kontrollet e mëparshme. Për periudhën nga shtatori 2024 deri në fund të vitit 2025, kur bashkia drejtohej nga Vangjel Tavo, janë konstatuar probleme në administrimin e financave, raportimin e detyrimeve dhe mbledhjen e të ardhurave.
Ndërkohë, auditimi evidenton edhe shkelje të rënda të dokumentuara në vitet e mëparshme, që lidhen me tendera ku fituesit nuk plotësonin kriteret e kërkuara, dëme ekonomike nga investimet publike, përllogaritje më të ulëta të taksave për ndërtuesit dhe shfrytëzimin e sipërfaqeve pyjore pa kontrata qiraje.
Gjetjet e KLSH-së ngrenë pikëpyetje mbi mënyrën e administrimit të fondeve publike dhe mbikëqyrjen e të ardhurave në Bashkinë Himarë.
