Tragjedi në SHBA: Gjashtë persona humbin jetën pas të shtënave, autori i dyshuar gjendet i vdekur
Një ngjarje e rëndë ka tronditur shtetin e Iowa-s në SHBA, ku gjashtë persona kanë humbur jetën në një seri të shtënash që, sipas hetimeve paraprake, lidhen me një konflikt familjar.
Autoritetet në qytetin Muscatine bëjnë të ditur se i dyshuari kryesor, 52-vjeçari Ryan Willis McFarland, u gjet më vonë pa shenja jete me një plagë të vetëshkaktuar nga arma e zjarrit.
Policia mori njoftimin e parë për të shtëna gjatë mesditës. Në një banesë, oficerët zbuluan katër persona të pajetë, të cilët dyshohet se ishin viktimat e para të sulmit.
Pas kërkimeve intensive, i dyshuari u lokalizua pranë një ure këmbësorësh buzë lumit. Megjithëse ekipet e emergjencës ndërhynë menjëherë, ai u shpall i vdekur në vendngjarje.
Gjatë hetimeve, policia zbuloi edhe dy viktima të tjera në lokacione të ndryshme të qytetit, duke e çuar numrin total të viktimave në gjashtë.
Sipas autoriteteve, të dhënat paraprake tregojnë se të gjitha viktimat kishin lidhje familjare me autorin e dyshuar. Hetimet për motivet dhe rrethanat e plota të ngjarjes vazhdojnë.
Policia ka konfirmuar gjithashtu se McFarland kishte precedentë penalë, ndërsa identiteti i viktimave nuk është bërë ende publik.