Treni rikthehet në Tiranë, projekti hyn në një fazë të re
Aty ku sot mbizotërojnë trafiku dhe zhurma e automjeteve, dikur dëgjohej fishkëllima e trenit që lidhte kryeqytetin me qytetet e tjera të vendit. Pas shumë vitesh mungese, rikthimi i trenit në Tiranë po bëhet gjithnjë e më pranë.
Projekti ka hyrë në një etapë të rëndësishme me hapjen e tenderit për lidhjen e Terminalit të Transportit Publik me Stacionin Qendror të Trenit në Tiranë. Investimi, me vlerë 15.7 milionë euro, synon të rikthejë transportin hekurudhor brenda kryeqytetit pas më shumë se një dekade.
Drejtori i Projektit të hekurudhës Tiranë-Durrës-Rinas, Bashkim Kasoruho, deklaroi se ky segment përbën hallkën e fundit të korridorit hekurudhor dhe do të rikthejë trenin në zemër të Tiranës. Sipas tij, stacioni i ri do të ndërtohet pranë vendndodhjes së stacionit të dikurshëm, rreth 100 metra para bulevardit “Zogu i Parë”.
Ndërtimi i linjës hekurudhore Tiranë-Durrës po realizohet në tre faza kryesore. Faza e parë, që përfshin rehabilitimin e linjës ekzistuese, është drejt përfundimit. Ndërkohë, kontrata e dytë parashikon ndërtimin e stacioneve dhe ndalesave përgjatë itinerarit, përfshirë edhe degëzimin drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Rinasit.
Një tjetër komponent i rëndësishëm është elektrifikimi i linjës hekurudhore, projekt që financohet përmes një kombinimi kredie dhe granti në bashkëpunim me BERZH. Punimet për këtë fazë pritet të nisin brenda muajit qershor dhe të zgjasin rreth 18 muaj, me objektivin që i gjithë projekti të përfundojë deri në fund të vitit 2027.
Trenat që do të përdoren do të jenë modernë dhe elektrikë, të pajisur me të gjitha standardet bashkëkohore të udhëtimit. Ata do të ofrojnë akses për personat me aftësi të kufizuara, hapësira për biçikleta, sisteme kondicionimi dhe komoditete të tjera që gjenden në rrjetet hekurudhore të vendeve të Bashkimit Europian.
Edhe pse infrastruktura është projektuar për të përballuar shpejtësi të larta, trenat do të lëvizin me një shpejtësi maksimale deri në 120 km/orë, ndërsa në segmentin urban brenda Tiranës shpejtësia do të kufizohet në 70 km/orë.
Nëse punimet do të ecin sipas afateve të parashikuara, brenda pak vitesh Tirana do të dëgjojë sërish zhurmën e trenit. Një rikthim që sjell nostalgjinë e së kaluarës, por që synon të ndërtojë një transport modern dhe të qëndrueshëm për të ardhmen.