Pas mbledhjes së qeverisë, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, prezantoi vendimet e miratuara, duke u ndalur veçanërisht te reforma në sektorin e energjisë elektrike dhe projektet infrastrukturore në vend.
Karakaçi bëri të ditur se është miratuar projektligji i ri për rregullimin e sektorit të energjisë elektrike, i cili harmonizon legjislacionin shqiptar me atë të Bashkimit Evropian dhe sjell koncepte të reja si depozitimi i energjisë dhe agregimi nga vetë konsumatorët.
Sipas tij, sektori energjetik do të pësojë një transformim të rëndësishëm, ndërsa energjia e prodhuar nga panelet fotovoltaike tashmë përbën mbi 10% të prodhimit total në vend. Ministri theksoi gjithashtu se projektligji është konsultuar me grupet e interesit dhe pritet të ndihmojë procesin e integrimit evropian, duke hapur rrugën edhe për mbështetje financiare.
Duke folur për Aeroportin e Vlorës, Karakaçi konfirmoi ekzistencën e një mosmarrëveshjeje tregtare mes dy ortakëve të projektit, por siguroi se qeveria mbetet e angazhuar për përfundimin e punimeve brenda afateve. Ai njoftoi se janë vendosur edhe penalitetet e para për vonesat e konstatuara.
Sa i përket punimeve në autostradën Tiranë-Durrës, ministri u ndal te çështja e mbikalimeve për këmbësorët dhe zgjerimi i nyjeve kryesore rrugore. Sipas tij, mbikalimi i Rinasit do të prishet dhe do të rindërtohet me katër korsi, ndërsa ndërhyrja pritet të nisë pas përfundimit të sezonit veror për të shmangur ndikimin në qarkullimin e automjeteve. Ndërkohë, puna vijon në segmentin pranë mbikalimit të Kasharit dhe në nyjet që do të përmirësojnë aksesin për qytetarët dhe bizneset e zonës.