Franca i ndaloi të martën hyrjen në territorin e saj Ministrit izraelit të Financave, Bezalel Smotrich, për shkak të mbështetjes së tij ndaj aneksimit të Bregut Perëndimor, një politikë që sipas Parisit rrezikon perspektivën e zgjidhjes me dy shtete.
Lajmi u konfirmua nga ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, i cili në një reagim në rrjetin social X deklaroi se Smotrich ka promovuar vazhdimisht zgjerimin e vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor, si dhe rikolonizimin e Gazës.
“Është një politikë që shumica dërrmuese e komunitetit ndërkombëtar, e përkushtuar ndaj zgjidhjes me dy shtete, nuk mund ta pranojë”, u shpreh Barrot.
Vendimi i Francës vjen pasi ajo, së bashku me Australinë, Kanadanë, Zelandën e Re, Norvegjinë dhe Mbretërinë e Bashkuar, njoftuan masa të përbashkëta kundër kolonëve të dhunshëm izraelitë. Të gjitha këto vende kanë vendosur tashmë ndalim hyrjeje për Smotrichin.
Paralelisht, Franca vendosi masa kufizuese ndaj katër drejtuesve të organizatave të kolonëve dhe 21 personave të tjerë, ndërsa Mbretëria e Bashkuar shpalli sanksione ndaj gjashtë organizatave dhe një individi të akuzuar për financimin dhe nxitjen e dhunës së kolonëve.
Në deklaratën e përbashkët thuhet se për shumë kohë kolonët e dhunshëm kanë vepruar pothuajse pa pasoja, ndërsa zgjerimi i vendbanimeve ka vazhduar me mbështetjen e autoriteteve izraelite.
Nga ana tjetër, Ministria e Jashtme e Izraelit i dënoi ashpër këto masa, duke i cilësuar si “të turpshme” dhe si pjesë të një politike “anti-izraelite” që, sipas saj, ushqen antisemitizmin.
Masat e reja pasqyrojnë tensionet në rritje mes Izraelit dhe disa vendeve evropiane, të cilat janë bërë gjithnjë e më kritike ndaj zgjerimit të vendbanimeve në Bregun Perëndimor dhe situatës humanitare në Gaza.
Edhe liderë tradicionalisht më pranë Izraelit, si kancelari gjerman Friedrich Merz dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni, kanë shfaqur tone më kritike gjatë muajve të fundit.
Franca mbetet ndër zërat më të fortë kritikë ndaj politikave të qeverisë izraelite. Muajin e kaluar, Parisi i ndaloi hyrjen edhe ministrit izraelit të Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, pas polemikave të shkaktuara nga sjellja e tij ndaj aktivistëve të një misioni humanitar për Gazën.