Sezoni veror, kufizohet qarkullimi i mjeteve të rënda në fundjavë dhe festa
Policia e Shtetit ka bërë të ditur se nga 19 qershori deri më 15 shtator do të vendosen kufizime të posaçme për qarkullimin e mjeteve të rënda në disa akse rrugore të vendit, në kuadër të masave për sezonin turistik.
Sipas njoftimit, masat synojnë rritjen e sigurisë rrugore dhe lehtësimin e trafikut në rrugët me fluks të lartë lëvizjeje, veçanërisht në zonat bregdetare dhe turistike.
Kufizimet do të zbatohen për mjetet e transportit të mallrave me peshë mbi 7.5 tonë dhe kategori të tjera të përcaktuara në udhëzimet përkatëse. Ato do të jenë në fuqi gjatë fundjavave dhe ditëve të festave zyrtare.
Orari i kufizimeve është si më poshtë:
- Të premten, nga ora 15:00 deri në 24:00;
- Të shtunën, nga ora 07:00 deri në 24:00;
- Të dielën, nga ora 07:00 deri në 24:00.
Ndërsa gjatë festave zyrtare, ndalimi nis në orën 15:00 të ditës paraprake dhe vijon deri në fund të ditës së festës.
Nga këto masa përjashtohen mjetet e emergjencës, ato të Policisë së Shtetit dhe institucioneve të tjera shtetërore, si dhe automjetet që transportojnë mallra të domosdoshme, përfshirë produktet ushqimore që prishen.
Policia u bën thirrje operatorëve të transportit dhe drejtuesve të mjeteve të respektojnë kufizimet, me qëllim shmangien e trafikut të rënduar dhe garantimin e një sezoni turistik sa më të sigurt për qytetarët dhe vizitorët.











Leave a Reply