Ndahet nga jeta Gjergj Lala, protagonisti i shumë roleve të paharruara

Kinematografia shqiptare në zi, ndahet nga jeta aktori dhe regjisori Gjergj Lala

Kinematografia shqiptare ka pësuar një humbje të madhe. Aktori dhe regjisori i njohur Gjergj Lala është ndarë nga jeta në moshën 79-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të pasur artistike që ka shënuar historinë e filmit dhe teatrit shqiptar.

I lindur më 6 dhjetor 1947 në Lushnjë, Lala u bë i njohur për interpretimet e tij të spikatura në skenë dhe në ekran. Një nga rolet më të paharrueshme të karrierës së tij mbetet ai i Mihal Gramenos në filmin “Liri a Vdekje”, rol që e renditi mes aktorëve më të vlerësuar të brezit të tij.

Gjatë karrierës artistike, ai interpretoi në një sërë filmash të njohur shqiptarë, si “Tokë e përgjakur”, “Nusja dhe shtetërrethimi”, “Gjurmë në kaltërsi”, “Në prag të lirisë”, “Shtëpia jonë e përbashkët”, “Një emër midis njerëzve” dhe “Lumi që nuk shteron”.

Prej vitesh, Gjergj Lala jetonte në Itali, ku vijoi të ishte aktiv në projekte të ndryshme artistike, duke marrë pjesë në filma dhe telefilma.

Me ndarjen e tij nga jeta, arti shqiptar humbet një emër të rëndësishëm, ndërsa publiku do ta kujtojë përherë për rolet dhe kontributin e tij në kinematografinë kombëtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *