Protesta përfshijnë Shqipërinë, Komisioni Europian reagon me njoftim

 

Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Guillaume Mercier, është pyetur të martën lidhur me projektin në zonën e Zvërnecit, i cili ka shkaktuar protesta në Shqipëri. Gazetari Julian Kasapi ngriti pyetje mbi masat mbrojtëse që Komisioni pret nga vendet kandidate përpara miratimit të projekteve të mëdha strategjike.

Mercier u shpreh se punimet e ndërtimit janë pezulluar dhe se do të kryhet një vlerësim i plotë i ndikimit në mjedis. Ai theksoi se Komisioni po ndjek nga afër zhvillimet dhe se shqetësimet janë komunikuar më herët Ministrit të Mjedisit për mangësi të mundshme të projektit.

Sipas tij, projekti është gjithashtu objekt i hetimeve të vazhdueshme nga SPAK.

“Ne i kemi shprehur shqetësimet tona Ministrit të Mjedisit, i cili u angazhua se punimet janë pezulluar dhe se do të kryhet një vlerësim gjithëpërfshirës i ndikimit në mjedis, në konsultim edhe me shoqërinë civile. Pritshmëria jonë është që ky proces të zhvillohet në mënyrë transparente,” u shpreh Mercier.

Ai shtoi se Komisioni po ndjek situatën në zonën e mbrojtur Pishë Poro–Nartë dhe se shqetësimet nuk janë të reja, pasi janë ngritur edhe në raportin e fundit të zgjerimit, ku është theksuar ndikimi i mundshëm i ligjit për investimet strategjike në zonat e mbrojtura.

“Sa i përket procesit të anëtarësimit, Shqipëria pritet të përafrojë plotësisht legjislacionin me BE-në në fushën e mjedisit, përfshirë Direktivën për Shpendët dhe Habitatet, si dhe të rishikojë ligjin për investimet strategjike. Për mbylljen e Kapitullit 27, kërkohet gjithashtu forcimi i kapaciteteve për menaxhimin e zonave Natura 2000 dhe mbrojtjen e specieve dhe habitateve. Shqipëria duhet të shmangë çdo veprim që cenon përmbushjen e këtyre detyrimeve,” shtoi ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *