Lajm i trishtë: Ndahet nga jeta aktori i dashur për publikun shqiptar

Ndahet nga jeta aktori dhe regjisori i njohur Gjergji Lala

Është ndarë nga jeta në moshën 79-vjeçare aktori dhe regjisori i njohur i kinematografisë shqiptare, Gjergji Lala. Ai ka humbur jetën në një spital në Itali, pas një sëmundjeje të gjatë me të cilën po përballej prej kohësh.

Me një karrierë të pasur dhe kontribut të çmuar në artin shqiptar, Gjergji Lala do të kujtohet për rolet dhe interpretimet që lanë gjurmë në kinemanë dhe teatrin shqiptar. Një nga rolet më të spikatura të tij ishte ai i Mihal Grmanos në filmin e njohur “Liri a Vdekje”.

Gjatë viteve të fundit, ai jetoi në Itali, ku vijoi të ishte aktiv në projekte të ndryshme artistike dhe kinematografike.

Në karrierën e tij artistike spikasin filma të njohur si “Tokë e Përgjakur”, “Nusja dhe Shtetrrethimi”, “Gjurmë në Kaltërsi” dhe “Shtëpia Jonë e Përbashkët”, vepra që e bënë një emër të respektuar për publikun shqiptar.

Sipas informacioneve paraprake, artisti pritet të prehet në qytetin e tij të lindjes, në Lushnjë.

Ndarja e tij nga jeta përbën një humbje të madhe për artin dhe kulturën shqiptare. Ngushëllime familjes, miqve dhe të gjithë atyre që e vlerësuan dhe e deshën përmes veprës së tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *