Fundjava pritet të sjellë temperatura shumë të larta në të gjithë Shqipërinë. Sinoptikania e Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, Eneida Doçi, paralajmëroi se vendi do të ndikohet nga masa ajrore të nxehta që do të favorizojnë mot të kthjellët dhe përvëlues.
Sipas saj, gjatë ditëve në vijim do të depërtojnë masa ajrore të lagështa nga jugperëndimi, të kombinuara me masa të nxehta që vijnë nga Afrika e Veriut, duke bërë që temperaturat të rriten ndjeshëm në të gjithë territorin.
Moti do të jetë kryesisht i kthjellët, ndërsa gjatë mesditës dhe pasdites priten vetëm vranësira kalimtare në zonat malore. Temperaturat minimale do të arrijnë deri në 26°C, ndërsa ato maksimale do të ngjiten deri në 39°C, veçanërisht në zonat e ulëta, qendrore dhe bregdetare.
Edhe java e ardhshme parashikohet të vijojë me mot shumë të nxehtë, ku temperaturat maksimale mund të prekin deri në 40°C në disa zona të vendit.
Era do të fryjë e lehtë, kryesisht nga jugperëndimi dhe verilindja, me një shpejtësi mesatare rreth 7 metra në sekondë. Deti do të jetë i qetë, me valëzim të ulët 1 deri në 2 ballë.
Megjithatë, në zonat malore nuk përjashtohen zhvillime të përkohshme të vranësirave, të cilat mund të shoqërohen me rrebeshe afatshkurtra shiu dhe stuhi lokale gjatë orëve të pasdites.

Be First to Comment