Një zhvillim i rëndësishëm po merr formë në Uashington, ku Kongresi Amerikan po shqyrton një projektligj të ri të quajtur “Akti për Demokracinë dhe Prosperitetin e Ballkanit Perëndimor”, i cili synon të forcojë angazhimin e Shteteve të Bashkuara për stabilitetin dhe sigurinë në rajon.
Projektligji parashikon që politika amerikane kundër ndryshimit të kufijve mbi baza etnike ose territoriale të marrë fuqi ligjore. Nëse miratohet, administrata amerikane do të jetë e detyruar të mos mbështesë asnjë iniciativë që parashikon shkëmbim territoresh, ndarje apo rishikim kufijsh në Ballkanin Perëndimor.
Nisma vjen në një periudhë kur çështjet që lidhen me kufijtë dhe tensionet politike në rajon vijojnë të mbeten në qendër të vëmendjes, veçanërisht në raportet mes Kosovës dhe Serbisë, si edhe në Bosnje dhe Hercegovinë.
Sa i përket dialogut Kosovë–Serbi, projektligji riafirmon pritshmërinë e SHBA-së për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare të bazuar në njohjen reciproke, duke përjashtuar mundësinë e shkëmbimit të territoreve si zgjidhje.
Ndërkohë, për Bosnjë dhe Hercegovinën, dokumenti rithekson mbështetjen për Marrëveshjen e Dejtonit dhe integritetin territorial të vendit, duke kundërshtuar çdo nismë apo retorikë që synon cenimin e rendit kushtetues ose shkëputjen e ndonjë pjese të territorit.
Sipas vlerësimeve të analistëve, kjo nismë përfaqëson një sinjal të qartë të angazhimit amerikan për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, duke vendosur një kornizë më të fortë për politikën e jashtme të SHBA-së në rajon.
Projektligji pritet të ndiqet me interes nga vendet e Ballkanit, ndërsa miratimi i tij do të përforconte edhe më tej qëndrimin amerikan në mbështetje të integritetit territorial dhe perspektivës euroatlantike të rajonit.

Be First to Comment