Qeveria paralajmëron mbështetje për zjarrfikësit, Demo: Bonusi do të jepet brenda korrikut
Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, ka bërë me dije se strukturat vendore janë duke u përgatitur për sezonin e zjarreve, duke rritur kapacitetet dhe koordinimin mes institucioneve.
Gjatë një deklarate për mediat, Demo theksoi se është përmirësuar organizimi për ndërhyrjet emergjente, përfshirë edhe përdorimin e mjeteve ajrore për shuarjen e flakëve.
Ai u bëri thirrje qytetarëve të tregojnë më shumë kujdes ndaj mjedisit, duke nënvizuar se shpeshherë pakujdesitë e vogla mund të shkaktojnë dëme të mëdha.
Sipas ministrit, këtë vit qeveria do të prezantojë edhe një paketë të veçantë mbështetëse për personat që ndodhen në vijën e parë të luftës kundër zjarreve.
Një nga masat e paralajmëruara është shpërndarja më herët e bonusit për zjarrfikësit. Demo bëri të ditur se pagesa, e cila zakonisht jepet në përfundim të sezonit të zjarreve, pritet të miratohet dhe të shpërndahet brenda muajit korrik.
“Po punojmë për të garantuar një organizim sa më efikas gjatë sezonit të zjarreve. Ministria do të ketë rol koordinues në këto situata dhe do të fokusohemi në rritjen e kapaciteteve dhe bashkëpunimin mes institucioneve”, deklaroi Demo.

Be First to Comment