Skip to content

Nuk është as Saranda e as Ksamili! Ky është destinacioni më i vizituar nga turistët në Shqipëri

Tirana kryeson si destinacioni më i vizituar nga turistët e huaj në Shqipëri, sipas një sondazhi të fundit të Data Centrum.

 

Rezultatet e publikuara në emisionin “Now me Erla Mëhillin” tregojnë se 71% e turistëve të huaj kanë vizituar kryeqytetin shqiptar, duke e renditur Tiranën në vendin e parë dhe duke lënë pas destinacione të njohura si Saranda dhe Ksamili.

 

Sipas përfaqësuesve të Data Centrum, renditja bazohet në përgjigjet e vetë turistëve, të cilët kanë treguar destinacionet që kanë vizituar gjatë qëndrimit në Shqipëri. Ekspertët theksojnë se Tirana zë vendin e parë edhe sepse shumë vizitorë e përfshijnë kryeqytetin në itinerarin e tyre, qoftë edhe për një vizitë të shkurtër, përpara se të vazhdojnë drejt zonave të tjera turistike.

 

Pas Tiranës, në vendin e dytë renditen Saranda, Ksamili dhe plazhet e jugut, të vizituara nga 43% e turistëve. Më tej vjen Riviera Shqiptare, me destinacione si Dhërmiu, Himara, Borshi dhe Qeparoi, të përmendura nga 37% e të anketuarve.

 

Ndërkohë, qytetet dhe sitet e mbrojtura nga UNESCO, si Gjirokastra, Berati dhe Butrinti, janë vizituar nga 32% e turistëve, ndërsa Durrësi, Golemi dhe Ishmi nga 30%.

 

Sondazhi rendit më pas edhe destinacionet e tjera: Shkodra (18%), fshatrat turistike (13%), Kruja (8%), liqenet dhe lumenjtë, përfshirë Pogradecin (6%), Tepelena, Përmeti dhe Këlcyra (5%), plazhet e veriut (5%), Korça dhe zona e Linës (4%), si dhe Elbasani, Gramshi e Librazhdi (2%).

 

Të dhënat tregojnë se shumica e turistëve zgjedhin të eksplorojnë disa destinacione gjatë të njëjtit udhëtim, duke zhvilluar ture të kombinuara nëpër Shqipëri.

Published inNews Shqip

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *