Stuhi të forta priten të prekin Shqipërinë të premten, ja zonat më të rrezikuara
Territori shqiptar pritet të përballet të premten me stuhi me intensitet të lartë, por me kohëzgjatje të shkurtër. Paralajmërimi është bërë nga meteorologia Tanja Porja gjatë një interviste për programin “Dita Jonë” në A2CNN, ku ajo analizoi situatën meteorologjike për ditët në vijim.
Sipas meteorologes, stuhitë do të shfaqen në formën e celulave të izoluara atmosferike, të cilat mund të krijojnë kushte të vështira në zona të caktuara, duke sjellë reshje të dendura dhe erëra të forta.
Porja theksoi se rreziku përfshin të gjithë territorin e vendit, pasi këto dukuri janë të vështira për t’u parashikuar me saktësi për shkak të karakterit lokal të tyre. Megjithatë, zonat qendrore, lindore dhe juglindore pritet të kenë ndikimin më të madh.
Në hartën e rrezikut përfshihen zona si Tirana, Durrësi, Fushë-Kruja, Elbasani, Librazhdi, Pogradeci, Korça, Erseka dhe Devolli, ndërsa mund të preken gjithashtu edhe Gjirokastra e Përmeti.
Sipas ekspertëve, megjithëse stuhitë do të jenë të shkurtra, ato mund të sjellin reshje intensive dhe erëra të fuqishme për një periudhë prej rreth 20 deri në 40 minuta, ndaj qytetarët këshillohen të tregojnë kujdes gjatë ditës së premte.


Be First to Comment