- Ndryshime të rëndësishme në “Portokalli”, ja kush pritet të marrë drejtimin e spektaklit
Sezoni i ri televiziv në Top Channel pritet të nisë me disa ndryshime dhe surpriza, jo vetëm në programacion, por edhe në drejtimin e disa prej emisioneve më të ndjekura.
Pas ndryshimeve të paralajmëruara në “Përputhen”, vëmendja është përqendruar te spektakli i humorit “Portokalli”, ku priten zhvillime të reja.
Sipas burimeve të Vox News pranë televizionit, Agron Llakaj pritet të rikthehet në drejtimin e “Portokallisë”, duke marrë përsipër një rol të dyfishtë si moderator dhe regjisor i spektaklit.
Ky ndryshim vjen pas largimit të Salsano Rrapit nga drejtimi i “Portokallisë”, ndërsa së bashku me të programi pritet të ketë edhe ndryshime në aspektin regjisorial, pas largimit të Ilir Muhametajt nga ky angazhim.
Megjithatë, largimi i Salsano Rrapit nga “Portokallia” nuk nënkupton largimin e tij nga Top Channel. Sipas burimeve të cituara nga Vox News, me aktorin dhe moderatorin janë zhvilluar negociata për përfshirjen e tij në një tjetër projekt televiziv të këtij televizioni.
Edhe regjisori Ilir Muhametaj pritet të vijojë angazhimin në Top Channel, por në një tjetër emision.
Nëse rikthimi i Agron Llakajt konfirmohet, sezoni i ri i “Portokallisë” pritet të sjellë një tjetër qasje, me aktorin e njohur në një rol të rëndësishëm në drejtimin dhe realizimin e spektaklit.
Burimi: Vox News
