Edhe emisioni investigativ “Fiks Fare” në Top Channel pritet të nisë sezonin e ri televiziv me ndryshime të rëndësishme.
Pas 25 vitesh në ekran, drejtuesi dhe autori i njohur i programit, Filip Çakuli, pritet të largohet nga drejtimi i “Fiks Fare”. Bashkë me të, ndryshime priten edhe në panelin e moderatorëve, me Julian Dedën dhe Xhemi Shehun që nuk do të jenë më pjesë e formatit.
Ndryshimet prekin edhe strukturën gazetareske të emisionit. Kryeredaktorja aktuale, Denisa Haxhiaj, pritet të largohet nga detyra, ndërsa në vend të saj raportohet se drejtimin editorial mund ta marrë gazetarja veterane e “Fiks Fare”, Antela Lika.
Lika është pjesë e “Fiks Fare” prej 14 vitesh dhe gjatë karrierës së saj në emision është angazhuar në një sërë investigimesh dhe denoncimesh që kanë tërhequr vëmendjen e publikut.
Kalimi i drejtimit te një gazetare me eksperiencë të gjatë brenda programit shihet si një përpjekje për t’i dhënë “Fiks Fare” një tjetër impuls, duke ruajtur në fokus gazetarinë investigative dhe problematikat që prekin qytetarët.
Ende nuk janë bërë të ditur emrat e dy moderatorëve të rinj që pritet të marrin drejtimin e programit. Sipas burimeve, përzgjedhjet kryesore pritet të bëhen brenda stafit të Top Channel.
Largimi i Filip Çakulit nga drejtimi i “Fiks Fare” shënon një ndryshim të madh për një prej emisioneve më jetëgjata investigative në Shqipëri. Për momentin mbetet e paqartë se çfarë roli do të ketë Çakuli në Top Channel pas largimit nga programi.
Me një histori 25-vjeçare, “Fiks Fare” është kthyer në një nga emisionet më të njohura investigative në vend. Ndryshimet e reja pritet të hapin një kapitull të ri për formatin, i cili prej vitesh është identifikuar me investigimet, denoncimet dhe problematikat sociale.
