Skip to content

“E godita tri herë me çekiç në kokë, humbi syrin”, rrëfimi tronditës i burrit që dhunoi gruan në Shkodër, gjykata e shpall të pafajshëm

Shkodër, burri goditi gruan me çekiç dhe i shkaktoi humbjen e një syri: Autori në arrest shtëpie, rrëfimi tronditës

SHKODËR – Një ngjarje e rëndë dhune në familje ka tronditur fshatin Barbullush të Bashkisë Vau i Dejës, ku një 73-vjeçar dyshohet se ka goditur brutalisht bashkëshorten e tij 68-vjeçare me çekiç, duke i shkaktuar dëmtime të rënda në kokë dhe humbjen e shikimit në njërin sy.

Rasti është denoncuar në emisionin investigativ “Fiks Fare” nga Dedë Çeliku, vëllai i viktimës, i cili ka ngritur shqetësime për mënyrën se si është trajtuar çështja nga drejtësia shqiptare.

Sipas denoncuesit, Vlashi Krajni e ka goditur bashkëshorten Leza Krajni gjatë një konflikti në banesë, ndërsa ajo ishte duke komunikuar në telefon me motrën e saj.

Pas ngjarjes, gruaja është dërguar në Spitalin Rajonal të Shkodrës në gjendje të rëndë, ku mësohet se ka qenë në koma. Dy ditë më vonë, familjarët e kanë transportuar me ambulancë drejt Italisë, ku i është nënshtruar disa ndërhyrjeve kirurgjikale për shkak të hemorragjisë dhe dëmtimeve në kokë.

Aktualisht, ajo ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe, sipas familjarëve, ka humbur shikimin në njërin sy.

Familja revoltohet: Pse u lirua autori?

Vëllai i të dëmtuarës ka shprehur indinjatën për vendimin e gjykatës, e cila ka caktuar ndaj Vlash Krajnit masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.

Sipas informacioneve të siguruara nga “Fiks Fare”, Prokuroria e ka akuzuar 73-vjeçarin për “vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, në tentativë.

Familjarët pretendojnë se vendimi për lirimin e tij është marrë pa u administruar ende ekspertiza mjeko-ligjore për gjendjen e viktimës, si dhe pa përfunduar vlerësimi i gjendjes së tij psikologjike.

Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, ndërsa i dyshuari po hetohet në këtë gjendje.

I moshuari pranon goditjet me çekiç: “E treta ishte fatale”

Gjatë intervistës së zhvilluar nga gazetarët e “Fiks Fare” në banesën e tij, Vlashi Krajni ka pranuar se e ka goditur bashkëshorten me çekiç.

Ai ka deklaruar se mes tyre kishte pasur konflikte të vazhdueshme, duke përmendur edhe xhelozinë si një nga shkaqet e mosmarrëveshjeve.

Në bisedën me gazetarët, 73-vjeçari ka pranuar se e ka goditur disa herë, ndërsa në një moment është shprehur: “E treta ishte fatale”.

I pyetur për gjendjen e bashkëshortes, ai ka thënë se ajo është dërguar në Itali për trajtim mjekësor, ndërsa ka shprehur pendesë për veprimin e tij.

Policia: I dyshuari është në arrest shtëpie

Kreu i Stacionit të Policisë së Bushatit, Armando Xhafa, ka deklaruar se veprimet fillestare janë kryer nga policia, ndërsa hetimet janë ndjekur nga Seksioni i Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër.

Ai ka konfirmuar se i dyshuari është shoqëruar dhe më pas është dërguar për ekzaminim psikiatrik në Tiranë, në bazë të kërkesës së prokurorit.

Pas kryerjes së këtij veprimi, 73-vjeçari është kthyer në banesë, ku aktualisht qëndron nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.

Ndërkohë, Leza Krajni vijon trajtimin mjekësor në Itali, në një gjendje të rëndë, pas dëmtimeve të shkaktuara nga goditjet në kokë.

Rasti ka ngritur shqetësime të forta mbi trajtimin e dhunës në familje dhe mënyrën se si merren vendimet për masat e sigurisë ndaj personave të dyshuar për vepra të rënda penale.

Published inNews Shqip