Presidenti i Recep Tayyip Erdoğan ka ngritur alarmin se lufta e Iranit mund të zgjerohet dhe të përfshijë gjithë rajonin, duke bërë thirrje për ndërhyrje të menjëhershme diplomatike përpara se situata të dalë jashtë kontrollit.
“Kjo luftë duhet të ndalet para se të përhapet dhe të mbulojë në flakë të gjithë rajonin. Lindja e Mesme rrezikon të mbulohet sërish nga era e gjakut dhe e barutit. Por nëse i jepet një shans diplomacisë, shmangia e këtij skenari është plotësisht e mundur”, deklaroi Erdoğan.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Iran, Abbas Araghchi, ka përjashtuar çdo mundësi negociatash me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke theksuar se Teherani ka pasur “një përvojë shumë të hidhur nga bisedimet me amerikanët”.
Konflikti, që sipas raportimeve nisi pas sulmeve amerikano-izraelite ndaj Iranit më 28 shkurt, ka shkaktuar viktima, zhvendosje masive të popullsisë dhe shkatërrime të mëdha, ndërsa ka tronditur edhe tregjet globale të naftës duke rritur çmimet.
“Nëse ky konflikt i pakuptimtë vazhdon, do të ketë më shumë humbje jetësh dhe dëme materiale, ndërsa kostoja për ekonominë globale do të rritet edhe më shumë”, paralajmëroi Erdoğan, duke shtuar se Turqia po përpiqet të gjejë një zgjidhje diplomatike.
Që nga fillimi i luftës, Tehran ka reaguar me sulme në disa zona të rajonit. Sipas raportimeve, sistemet e mbrojtjes së NATO kanë rrëzuar dy raketa balistike në hapësirën ajrore turke brenda pesë ditësh, ndërsa Turqia deri tani ka shpëtuar pa dëme serioze.