Deputeti socialist Erion Braçe ka rikonfirmuar ambicien për të garuar për Bashkinë e Tiranës, por ka bërë të ditur se ende nuk ka zhvilluar bisedën për këtë çështje me kryeministrin dhe kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama.
Në një intervistë për A2 CNN, Braçe tha se vazhdon të këmbëngulë për kandidimin e tij, ndërsa theksoi se ende nuk ka marrë një përgjigje nga Rama.
“Pyesni atë. Unë s’e kam marrë përsipër ta pyes. S’kemi bërë këtë bisedë akoma, të them të drejtën”, u shpreh Braçe, duke nënvizuar se këmbëngulja është një nga tiparet që e ka shoqëruar gjatë karrierës së tij politike.
Deputeti socialist iu referua gjithashtu rregullave të brendshme të PS-së, duke argumentuar se anëtarët e partisë kanë të drejtë jo vetëm të zgjedhin, por edhe të kandidojnë për t’u zgjedhur.
Sipas Braçes, një proces ku individët kanë vetëm të drejtën për të zgjedhur dhe jo për t’u zgjedhur do të dëmtonte demokracinë e brendshme të partisë.
Braçe foli edhe për prioritetet që, sipas tij, do të kishte nëse do të drejtonte Bashkinë e Tiranës. Ndër çështjet e përmendura ishte legalizimi i ndërtimeve pa dokumentacion, për të cilin ai pretendoi se në kryeqytet ende presin zgjidhje rreth 50 mijë objekte.
Ai deklaroi se ky proces mund të përshpejtohej nëse përgjegjësia do t’u kalonte bashkive, duke argumentuar se administratat vendore do ta trajtonin më shpejt procesin e legalizimit sesa Kadastra.
Ndërkohë, kandidatura e Braçes për Bashkinë e Tiranës mbetet në pritje të zhvillimeve dhe vendimmarrjes brenda Partisë Socialiste.
