Skip to content

Lajm i rëndësishëm nga BE për shqiptarët – ja çfarë pritet të ndryshojë

Nga tetori ndryshojnë rregullat në kufijtë e BE-së, ja çfarë duhet të dinë shqiptarët që udhëtojnë në Shengen

Duke nisur nga 12 tetori 2025, Bashkimi Europian do të fillojë zbatimin e një sistemi të ri elektronik për kontrollin e hyrjeve dhe daljeve në zonën Shengen, i cili do të prekë edhe qytetarët shqiptarë që udhëtojnë drejt vendeve europiane.

Sistemi i ri, i quajtur Entry/Exit System (EES), do të regjistrojë në mënyrë automatike lëvizjet e shtetasve nga vendet jashtë BE-së në kufijtë e jashtëm të zonës Shengen.

Përveç të dhënave të dokumentit të udëtimit, sistemi do të mbajë shënim datat e hyrjes dhe daljes, si dhe të dhëna biometrike, përfshirë gjurmët e gishtave dhe fotografinë e fytyrës.

Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë ka bërë të ditur se udhëtarët nuk do të kenë nevojë të aplikojnë paraprakisht dhe nuk do të paguajnë tarifa shtesë për këtë procedurë.

Zbatimi i sistemit do të bëhet gradualisht, fillimisht në disa pika kufitare, për t’u shtrirë më pas në të gjitha pikat e kalimit kufitar të vendeve që zbatojnë rregullat e Shengenit. Sipas planifikimeve, procesi pritet të përfundojë plotësisht më 10 prill 2026.

Rregullat e reja do të vlejnë për personat që udhëtojnë për qëndrime të shkurtra, deri në 90 ditë brenda një periudhe 180-ditore, pavarësisht nëse kanë nevojë për vizë apo janë të përjashtuar nga viza.

Përmes këtij regjistrimi elektronik, autoritetet do të kenë mundësi të kontrollojnë më lehtë kohëzgjatjen e qëndrimeve dhe të identifikojnë rastet kur tejkalohet afati i lejuar.

Nëse një udhëtar qëndron më gjatë se periudha e përcaktuar ose i refuzohet hyrja në kufi, informacioni do të regjistrohet në sistem dhe do të jetë i aksesueshëm për autoritetet përkatëse.

Bashkimi Europian argumenton se sistemi i ri synon të rrisë sigurinë në kufij, të parandalojë shkeljet e rregullave të qëndrimit dhe të bëjë më efikase menaxhimin e fluksit të udhëtarëve.

Ky ndryshim pritet të sjellë një mënyrë të re kontrolli për miliona persona që udhëtojnë drejt Europës, përfshirë edhe shqiptarët që lëvizin rregullisht në vendet e zonës Shengen.

Published inNews Shqip

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *