Avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon, ka thënë se ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës po e përballon mirë situatën pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale dhe mbetet i vendosur për të vazhduar betejën ligjore.
Në një intervistë për emisionin “Rubikon” me gazetarin Adriatik Kelmendi, Dixon deklaroi se Veseli është i përgatitur për fazën e apelimit dhe se ekipi i tij mbrojtës do të kundërshtojë vendimin e gjykatës.
Sipas avokatit, mbrojtja do të paraqesë argumentet e saj gjatë procedurës së apelit, me synimin për të sfiduar përfundimet e aktgjykimit.
Dixon tha se Veseli dëshiron që përmes këtij procesi të vazhdojë përpjekjet për të dëshmuar pafajësinë e tij dhe për të pastruar emrin.
“Ai është në një gjendje të mirë dhe është pozitiv për të luftuar në apel, në mënyrë që të jetë në gjendje ta pastrojë emrin e tij dhe të dëshmojë se është i pafajshëm”, deklaroi Dixon për Klan Kosova.
