Ekspertja e ekonomisë Romina Radonshiqi ka sqaruar shqetësimet e pensionistëve lidhur me mosmarrjen e bonusit në muajin shkurt. Ajo theksoi se pensionistët që nuk e kanë përfituar këtë bonus duhet të paraqesin një ankesë përmes platformës e-Albania, në mënyrë që çështja të verifikohet dhe pagesa të korrigjohet.
Sipas saj, është praktikisht e pamundur që një pensionist ta marrë bonusin në një muaj dhe të mos e marrë në muajin pasardhës për shkak të ndonjë ndryshimi në pension, pasi gjatë kësaj periudhe nuk ka pasur indeksim të pensioneve.
“Pensionistët që nuk e kanë marrë bonusin në shkurt duhet të bëjnë ankesë në e-Albania, në mënyrë që të kenë mundësi ta përfitojnë atë”, u shpreh Radonshiqi.
Ajo shtoi se ka pasur raste kur pensionistët që kanë paraqitur kërkesë kanë marrë edhe pagesat e prapambetura. Në disa raste, sipas saj, pensionistët kanë përfituar bonusin për tre muaj rresht — janar, shkurt dhe mars — pasi gabimi është korrigjuar nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore.
Ekspertja theksoi gjithashtu se lajmet që pretendojnë se disa pensionistë e kanë marrë bonusin në janar, por jo në shkurt, nuk kanë logjikë ekonomike. Sipas saj, nga janari në shkurt nuk ka pasur indeksim të pensioneve që do të sillte ndryshime në pagesë.
Radonshiqi sqaroi edhe një keqkuptim që mund të kenë pasur disa pensionistë lidhur me rritjen prej 8.000 lekësh. Sipas saj, kjo rritje është fikse dhe nuk shtohet çdo muaj. Për shembull, nëse një pensionist ka marrë 208.000 lekë në janar pas shtimit të bonusit, ai do të vazhdojë të marrë të njëjtën shumë çdo muaj deri në fund të vitit.
Ndërkohë, në lidhje me skemën e pensioneve, qeveria ka transferuar rreth 167 milionë euro të pashpenzuara nga buxheti i vitit 2025 në një fond të posaçëm për pensionet, me synimin për të forcuar qëndrueshmërinë financiare të sistemit.
Sipas ekspertit të ekonomisë Elvin Meka, kjo është një ndërhyrje e pazakontë që synon të ndihmojë skemën e pensioneve në një moment kur sistemi përballet me presione në rritje. Ai theksoi se në vitet e ardhshme fondi i pensioneve pritet të ketë një barrë më të madhe mbi buxhetin e shtetit, për shkak të rritjes së numrit të pensionistëve dhe indeksimit të pensioneve.
Megjithatë, sipas Mekës, kjo ndërhyrje është më shumë një zgjidhje taktike dhe operacionale sesa një reformë e mirëfilltë strukturore. Ai theksoi se në një sistem normal, fonde të tilla nuk do të duhej të ekzistonin dhe me një administrim më të mirë ato do të reduktoheshin ose do të eliminoheshin.
Eksperti nënvizoi se elementi vendimtar për reformën e ardhshme të pensioneve do të jetë krijimi i shtyllës së dytë të sistemit të pensioneve dhe roli që do të marrë qeveria në financimin e saj.
Sipas tij, diskutimi kryesor është nëse qeveria do të vendosë të bëhet bashkëfinancuese e kësaj shtylle. Ky vendim, thekson Meka, pritet të përcaktojë drejtimin real të reformës së ardhshme të pensioneve dhe të ndihmojë në mbushjen e boshllëqeve të sistemit aktual, duke shmangur rritjen e mëtejshme të barrës mbi buxhetin e shtetit.