Manjati rus Umar Dzhabrailov, i cili dikur e kishte quajtur Ghislaine Maxwell “shpirtin binjak” dhe emri i të cilit ishte përmendur në dosjet e lidhura me Jeffrey Epstein, u gjet i vdekur në orët e para të së hënës në Moskë. Sipas medias ruse Kommersant, që citon burime policore, 67-vjeçari u zbulua rreth orës 03:00 me një plagë me armë zjarri në kokë, ndërsa pranë trupit u gjet një pistoletë tip Luger. Autoritetet dyshojnë për vetëvrasje të mundshme, por ai nuk kishte lënë shënim. Raportohet se Dzhabrailov kishte tentuar t’i jepte fund jetës edhe në vitin 2020.
Emri i tij u rikthye në vëmendje pas publikimit të emaileve nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë në lidhje me çështjen Epstein. Në një mesazh të vitit 2001, Dzhabrailov i shkruante Maxwell-it për një takim të mundshëm në Moskë, duke shprehur dëshirën për ta pritur dhe për t’u kujdesur për organizimin e vizitës së saj. Maxwell iu përgjigj se ajo, Epstein dhe një person tjetër do të udhëtonin drejt Rusisë javën pasuese.
Pas dënimit të Maxwell për rolin e saj në skandalin e abuzimeve seksuale, Dzhabrailov kishte deklaruar se e njihte Epstein përmes saj, por pretendonte se nuk kishte dijeni për aktivitetet kriminale që më vonë dolën në dritë.I lindur në Çeçeni, Dzhabrailov ishte një figurë e njohur në biznesin rus. Ai ishte pronar i Radisson Slavyanskaya Hotel & Business Center dhe kishte shërbyer si senator në Këshillin e Federatës për Republikën e Kaukazit të Veriut nga viti 2004 deri në vitin 2009.