Ndryshon ora në tetor: Ja kur akrepat kthehen një orë pas
Ndryshimi i orës do të rikthehet edhe këtë vjeshtë. Të dielën, më 25 tetor 2026, do të kalojmë nga ora verore në orën standarde.
Në orën 03:00 të mëngjesit, akrepat do të zhvendosen një orë pas, duke shkuar në 02:00.
Kjo do të thotë se gjatë asaj nate do të fitojmë një orë gjumë, ndërsa në ditët në vijim do të kemi më shumë dritë në orët e para të mëngjesit. Në të njëjtën kohë, errësira do të bjerë më herët gjatë pasdites.
Kur ndryshon sërish ora?
Sipas kalendarit aktual, ndryshimi i ardhshëm do të bëhet më 28 mars 2027, kur akrepat do të zhvendosen një orë përpara dhe do të rikthehet ora verore.
Ora verore do të vijojë deri në fund të tetorit 2027, kur pritet sërish kthimi në orën standarde.
Rregullat aktuale parashikojnë që kalimi në orën verore të bëhet në fundjavën e fundit të marsit, ndërsa kthimi në orën standarde në fundjavën e fundit të tetorit.
Pse vazhdon ndryshimi i orës?
Kalimi i orës dy herë në vit është diskutuar prej vitesh në Bashkimin Evropian. Në vitin 2019, Parlamenti Evropian mbështeti një propozim për t’i dhënë fund këtij sistemi.
Megjithatë, ndryshimi nuk u zbatua, pasi vendet anëtare nuk arritën një marrëveshje përfundimtare nëse do të mbahej përgjithmonë ora verore apo ajo standarde.
Për këtë arsye, sistemi aktual vazhdon të jetë në fuqi dhe më 25 tetor 2026 akrepat do të kthehen një orë pas.
