Haaland shkëlqen me dopietë, ndërsa merr urime të veçanta nga Princesha e Norvegjisë
Erling Haaland ishte figura kryesore në fitoren e Norvegjisë ndaj Brazilit, duke realizuar dy gola vendimtarë që i siguruan kombëtares një vend në çerekfinalet e Kupës së Botës.
Pas përfundimit të takimit në New Jersey, atmosfera festive vazhdoi në dhomën e zhveshjes, ku futbollistët norvegjezë u vizituan nga Princesha Ingrid Alexandra dhe vëllai i saj, Princi Sverre Magnus. Princesha përshëndeti lojtarët një nga një dhe përqafoi Haalandin, duke e uruar për paraqitjen e shkëlqyer.
22-vjeçarja, e cila renditet e dyta në vijën e trashëgimisë së fronit norvegjez dhe pritet të bëhet monarkja e parë femër e vendit pas më shumë se 600 vitesh, përfaqësoi familjen mbretërore në këtë aktivitet, pasi Princi i Kurorës, Haakon, anuloi udhëtimin për shkak të ndërhyrjes kirurgjikale të bashkëshortes së tij, Mette-Marit.
Vizita në Kupën e Botës shënoi gjithashtu daljen e parë zyrtare publike të Princeshës Ingrid Alexandra pas operacionit të nënës së saj.
Në aspektin sportiv, Haaland vazhdon të jetë në formë të jashtëzakonshme. Me dy golat ndaj Brazilit, ai e çoi në shtatë numrin total të realizimeve në turne, duke u barazuar me Lionel Messi dhe Kylian Mbappé në krye të garës për “Këpucën e Artë”.
Pas ndeshjes, sulmuesi norvegjez u shpreh se sekreti i suksesit të tij është përqendrimi maksimal.
“Zakonisht, nëse më krijohen një ose dy raste, arrij t’i shndërroj në gola. Nuk e di si ndodh, por gjithçka varet nga përqendrimi. Besoj se është një dhuratë nga Zoti,” deklaroi Haaland.
Ai u bëri gjithashtu thirrje të rinjve norvegjezë të ndjekin ëndrrat e tyre dhe të punojnë fort për të përfaqësuar kombëtaren, duke theksuar se veshja e fanellës së Norvegjisë është nderi më i madh për çdo futbollist.

Be First to Comment