Një tjetër aksident rrugor është regjistruar mëngjesin e kësaj të diele në aksin kombëtar Peqin–Rrogozhinë, vetëm pak orë pas përplasjes së rëndë të ndodhur mbrëmjen e së shtunës pranë fshatit Karinë.
Aksidenti ka ndodhur rreth orës 09:45, pranë kryqëzimit të Gjocajt, në afërsi të qytetit të Peqinit, ku dy automjete janë përplasur me njëra-tjetrën.
Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë hyrja e njërit prej automjeteve në rrugën kryesore në kundërshtim me rregullat e qarkullimit, çka ka sjellë përplasjen me mjetin tjetër.
Si pasojë e goditjes së fortë, automjetet kanë pësuar dëme të konsiderueshme materiale, ndërsa njëra prej tyre është shkatërruar pothuajse plotësisht. Nga aksidenti raportohet edhe një person i plagosur, i cili ka marrë ndihmën e parë nga ekipet e emergjencës.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, të cilat kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit dhe për të përcaktuar përgjegjësitë e drejtuesve të mjeteve.
Aksi rrugor Peqin–Rrogozhinë ka qenë skenë e disa aksidenteve gjatë javëve të fundit, duke rikthyer edhe një herë vëmendjen te nevoja për respektimin e rregullave të qarkullimit dhe shtimin e kujdesit nga drejtuesit e mjeteve.

Be First to Comment