Një incident i rëndë me armë zjarri ka ndodhur në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë, ku ka mbetur i plagosur një inspektor i Inspektoratit Policor të Kosovës.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pas një përplasjeje verbale mes inspektorit dhe një personi tjetër, lidhur me vendosjen e kamerave në një lokal afarist. Situata raportohet se ka eskaluar me shpejtësi.
Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se në momentin kur inspektori ka tentuar të afrohet drejt çantës së tij, ku dyshohet se ndodhej arma zyrtare, i dyshuari ka hapur zjarr në drejtim të tij.
Si pasojë e të shtënave, inspektori ka mbetur i plagosur dhe është dërguar menjëherë për trajtim mjekësor.
Njësitet policore kanë dalë në vendngjarje dhe po hetojnë rastin, ndërsa deri më tani nuk raportohet për persona të arrestuar. Rrethanat e plota të incidentit mbeten ende të paqarta dhe pritet të zbardhen në vijim.