Skip to content

Shifër alarmante: Afro 30% e popullsisë në moshë pensioni drejt varfërisë ekstreme

Alarm për pensionistët: 27% e të moshuarve drejt kufirit të varfërisë ekstreme

Rreth 27% e popullsisë në moshë pensioni në Shqipëri po përballet me rrezikun e varfërisë ekstreme, ndërsa rritja ekonomike e viteve të fundit nuk është reflektuar në përmirësimin e mirëqenies së tyre. Të dhënat zyrtare tregojnë se pensioni mesatar për ata që dolën në pension gjatë vitit 2025 ishte vetëm 16 mijë lekë, 3% më i ulët se një vit më parë.

Situata bëhet edhe më shqetësuese pasi mbi gjysma e pensionistëve – rreth 55% – përfitojnë pension të pjesshëm, me një pagesë mesatare prej vetëm 13.500 lekësh në muaj, shumë larg minimumit të nevojshëm për një jetesë dinjitoze.

Edhe pse Shqipëria klasifikohet si vend me të ardhura mesatare të larta, sipas standardeve të Bankës Botërore kufiri i varfërisë kërkon të ardhura minimale prej rreth 249 dollarësh në muaj, nivel që shumica e pensionistëve nuk arrijnë ta sigurojnë.

Ndërkohë, sistemi i pensioneve po përballet me presion në rritje. Numri i pensionistëve po shtohet më shpejt se ai i kontribuuesve, ndërsa emigrimi i të rinjve dhe plakja e popullsisë po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë financimin e skemës.

Vetëm gjatë vitit 2025, në skemën e pensioneve u shtuan mbi 33 mijë përfitues të rinj, duke e çuar numrin total të pensionistëve në më shumë se 641 mijë persona, ose rreth 27% të popullsisë së vendit.

Një tjetër tregues shqetësues është rritja e pensioneve të pjesshme. Gjatë vitit 2025, rreth 354 mijë qytetarë përfituan këtë kategori pensioni, ndërsa afro 85% e pensionistëve të rinj urbanë nuk arritën të plotësonin vitet e nevojshme të punës për të marrë pension të plotë.

Ekspertët paralajmërojnë se hendeku mes pagave dhe pensioneve po zgjerohet. Nga viti 2021 deri në 2025, pagat mesatare u rritën me 47%, ndërsa pensionet vetëm me 16%, kryesisht si rezultat i indeksimit nga inflacioni.

Si pasojë, fuqia blerëse e pensionistëve ka rënë ndjeshëm, duke i detyruar shumë prej tyre të vazhdojnë të punojnë edhe pas daljes në pension ose të mbështeten te familjarët për të përballuar shpenzimet e përditshme.

Sipas sondazheve, mbi 87% e të moshuarve deklarojnë se pensioni nuk u mjafton për të mbuluar nevojat bazë të jetesës, ndërsa ekspertët kërkojnë reforma të thella në sistemin e pensioneve për të shmangur përkeqësimin e mëtejshëm të situatës.

Published inNews Shqip

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *