Vala e të nxehtit rikthehet, temperaturat shkojnë deri në 40°C
Shqipëria do të përballet me një tjetër periudhë të nxehtë gjatë fundjavës, pasi masat ajrore të nxehta me origjinë afrikane kanë nisur të ndikojnë vendin. Temperaturat pritet të rriten ndjeshëm, duke arritur deri në 38°C në disa prej qyteteve kryesore dhe pranë 40°C në zona të veçanta.
Sipas meteorologes Lajda Porja, kulmi i të nxehtit pritet të shënohet të dielën. Temperaturat më të larta do të regjistrohen në qytete si Shkodra, Elbasani, Berati, Gjirokastra, Tirana dhe Fieri, ndërsa në zona të caktuara si Kopliku, Cërriku, Belshi dhe Ura Vajgurore, termometri mund të afrohet me shifrën 40°C. Në zonat malore, moti do të jetë më i freskët, me temperatura që pritet të luhaten rreth 30-33°C.
Për ata që planifikojnë të pushojnë në bregdet, kushtet atmosferike do të jenë të favorshme. Pjesa më e madhe e vijës bregdetare do të dominohet nga mot i kthjellët dhe me diell, ndërsa vetëm në zonat malore të veriut mund të ketë rrebeshe të izoluara gjatë pasdites së të dielës.
Sipas parashikimeve, temperaturat e larta do të vijojnë edhe gjatë javës së ardhshme, me ndryshime të vogla. Mundësi për reshje të shkurtra lokale mund të ketë në veri dhe në disa zona të Shqipërisë së mesme, ndërsa bregdeti pritet të mbetet kryesisht nën dominimin e motit të qëndrueshëm.
Meteorologët kanë ngritur gjithashtu alarmin për rrezikun e shtuar të zjarreve. Temperaturat e larta, të kombinuara me erëra mesatare deri të forta, veçanërisht në qarqet Shkodër, Lezhë dhe Vlorë, krijojnë kushte të favorshme për përhapjen e shpejtë të flakëve.

Be First to Comment