TRAGJEDI NË AUSTRI/ 24-vjeçarja shqiptare gjendet e pajetë në banesë, dyshohet se u vra me çekiç
Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Grazit në Austri, ku një 24-vjeçare shqiptare është gjetur pa shenja jete në apartamentin ku jetonte me partnerin e saj.
Sipas raportimeve të mediave austriake, e reja dyshohet se ka humbur jetën pasi është goditur me çekiç. Për ngjarjen është arrestuar një 23-vjeçar, i cili dyshohet se është vëllai i partnerit të viktimës.
Ngjarja ka ndodhur mesditën e së enjtes, më 3 shtator, në një apartament në qendër të Grazit. Policia është njoftuar rreth orës 12:40 dhe, pas mbërritjes në banesë, ka gjetur 24-vjeçaren pa shenja jete. Sipas autoriteteve, ajo kishte ndërruar jetë në vend si pasojë e plagëve të marra.
Pak më vonë, policia arrestoi 23-vjeçarin në shkallët e pallatit. Dëshmitarët raportuan se i riu ishte i mbuluar me gjak. Fillimisht autoritetet bënë të ditur se ai kishte lidhje familjare me viktimën, ndërsa më pas u sqarua se bëhej fjalë për vëllain e partnerit të saj.
Nga hetimet paraprake dyshohet se 23-vjeçari ka shkuar i vetëm në apartament dhe ka hyrë me forcë. Në atë moment, 24-vjeçarja ndodhej e vetme në banesë, pasi partneri i saj nuk ishte aty.
Hetuesit dyshojnë se çekiçi mund të jetë përdorur si mjet në kryerjen e krimit. I dyshuari ka zgjedhur të mos flasë gjatë marrjes në pyetje dhe nuk ka dhënë shpjegime për ngjarjen apo motivin e mundshëm. Ai po hetohet nën dyshimin për vrasje.
Ndërkohë, trupit të viktimës i është kryer autopsia. Hetimet vijojnë për të përcaktuar me saktësi rrethanat e ngjarjes dhe motivin e mundshëm. Deri në këtë fazë, autoritetet nuk kanë bërë të ditur zyrtarisht një motiv për vrasjen.
I dyshuari konsiderohet i pafajshëm deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.
