Ish-portieri gjerman Georg Koch ka ndërruar jetë në moshën 54-vjeçare, pas një beteje dyvjeçare me kancerin e pankreasit. Lajmi i trishtë ka prekur botën e futbollit, pasi Koch kishte ndërtuar një karrierë të gjatë në disa klube të njohura europiane.
Gjatë karrierës së tij ai mbrojti portën e skuadrave si PSV Eindhoven, Rapid Vienna dhe Dinamo Zagreb. Karrierën profesionale e nisi në vitin 1992 me Fortuna Düsseldorf në Bundesligë, ndërsa më pas luajti edhe për klube të tjera gjermane si Arminia Bielefeld, 1. FC Kaiserslautern, Energie Cottbus dhe MSV Duisburg.
Karriera e tij mori një goditje të rëndë në vitin 2008 gjatë një derbi në Austri mes Rapid Vienna dhe Austria Wien, kur një fishekzjarr shpërtheu pranë veshit të tij. Incidenti i shkaktoi dëmtime serioze në dëgjim dhe probleme me ekuilibrin, duke e detyruar të tërhiqej nga futbolli profesionist në vitin 2009.
Në total, Koch regjistroi mbi 200 paraqitje në elitën e futbollit dhe më shumë se 160 në kategorinë e dytë. Me Dinamo Zagreb ai fitoi titullin kampion dhe Kupën e Kroacisë. Pas përfundimit të karrierës si futbollist, ai mbeti pranë futbollit duke punuar si trajner portierësh.
Në vitin 2024, Koch bëri publik se ishte diagnostikuar me kancer pankreasi, një sëmundje që mjekët e konsideruan të pashërueshme. Pas një beteje të gjatë me sëmundjen, ai u nda nga jeta në moshën 54-vjeçare.