Një incident i shkaktuar nga kushtet e vështira atmosferike është regjistruar këtë të mërkurë, duke shkaktuar frikë dhe tension te rreth 200 pasagjerë shqiptarë në bord.
Fluturimi i kompanisë Wizz Air, i nisur nga Tirana me destinacion Gjenovën, hasi në vështirësi serioze gjatë tentativës për ulje, për shkak të motit të keq në aeroportin përkatës.
Pavarësisht dy përpjekjeve të pilotëve për të realizuar aterrimin, kushtet atmosferike nuk e bënë të mundur uljen e sigurt të avionit. Si pasojë, ekuipazhi vendosi devijimin e fluturimit drejt Torinos, ku avioni u ul rreth orës 13:00.
Megjithatë, vështirësitë për pasagjerët nuk përfunduan me uljen. Sipas burimeve për Euronews Albania, udhëtarët janë përballur me mungesë informacioni dhe organizimi në aeroportin e Torinos.
Edhe pse u është premtuar transport me autobus drejt Gjenovës, deri tani nuk është dhënë një zgjidhje konkrete, duke shtuar pasigurinë dhe pakënaqësinë mes tyre.
Në pamjet e publikuara, pasagjerët shihen të grumbulluar në grupe, duke kërkuar sqarime dhe zgjidhje për të vijuar udhëtimin drejt destinacionit final.
VIDEO