Protesta e 10 shkurtit u shënua nga molotovë, përplasje me policinë, 19 efektivë të lënduar dhe 21 persona të arrestuar. Por sipas Nard Ndoka, ajo që pritet më 20 shkurt mund të jetë edhe më e ashpër.
Në një deklaratë për Report TV, Ndoka tha se protesta e thirrur nga Partia Demokratike nuk do të jetë “fotokopje” e asaj të 10 shkurtit dhe paralajmëroi forma të tjera reagimi. Ai përmendi mundësinë e një qëndrese më afatgjatë, rrethim të Kryeministrisë, grevë urie nga grupi parlamentar, si edhe skenarë të tjerë që, sipas tij, do të varen nga mbështetja qytetare.
“Protesta ka skenarët e vet dhe do të jetë dyfish më agresive se e para”, u shpreh Ndoka, duke theksuar se opozita i sheh protestat si mjetin e vetëm përballë qeverisë.
Ndërkohë, dhuna e 10 shkurtit u dënua nga mazhoranca, ndërsa autoritetet theksuan se do të merren masa për garantimin e rendit dhe sigurisë në tubimin e radhës.