Rreth 120 mijë besimtarë myslimanë në Shqipëri kanë kryer sot faljen e namazit me rastin e festës së Fitër Bajramit, duke shënuar përfundimin e muajit të shenjtë të Ramazanit pas 30 ditësh agjërimi.
Në Tiranë, mijëra besimtarë u mblodhën në Sheshin “Skënderbej”, ku atmosfera festive dhe shpirtërore dominoi që në orët e para të mëngjesit. Sheshi u mbush plot me besimtarë që falën namazin në unitet dhe përkushtim.
Pamje mbresëlënëse nga lart, të realizuara me dron, u shpërndanë edhe nga fotografi i Reuters, Florion Goga, duke treguar një panoramë të jashtëzakonshme të turmës së madhe që kishte mbushur sheshin kryesor të kryeqytetit.