Ndryshimi i orës vjen më herët këtë vit: Ja kur akrepat do të kthehen pas
Ndryshimi i orës do të bëhet më herët se zakonisht këtë vit. Në natën mes të shtunës, 24 tetor, dhe të dielës, 25 tetor 2026, Shqipëria do të kalojë nga ora verore në orën dimërore.
Në orën 03:00 të mëngjesit, akrepat do të kthehen 60 minuta pas, duke shënuar orën 02:00. Për pasojë, qytetarët do të kenë një orë më shumë gjumë gjatë asaj nate.
Data 25 tetor përkon me datën më të hershme të mundshme për ndryshimin e orës, pasi kalimi në orën dimërore bëhet çdo vit të dielën e fundit të tetorit. Hera e fundit që ky ndryshim ndodhi kaq herët ishte në vitin 2020.
Në pranverë, procesi është i kundërt: akrepat lëvizin një orë përpara, duke sjellë më shumë dritë gjatë orëve të pasdites dhe mbrëmjes. Në vjeshtë, kthimi i orës pas sjell më shumë dritë në mëngjes, por errësira nis më herët gjatë mbrëmjes.
Ndryshimi realizohet gjatë fundjavës për të kufizuar sa më shumë ndikimin në punë, udhëtime dhe aktivitetet e përditshme.
Si ndikon ndryshimi i orës në organizëm?
Edhe pse bëhet fjalë vetëm për një orë, ndryshimi i orarit mund të ndikojë përkohësisht në ritmin biologjik të trupit.
Disa persona mund të përjetojnë lodhje, përgjumje, vështirësi në përqendrim ose ndryshime të humorit gjatë ditëve të para pas kalimit në orën dimërore.
Ndikimi mund të jetë më i dukshëm te fëmijët, të moshuarit, personat që kanë probleme me gjumin dhe ata që punojnë me turne.
Për një përshtatje më të lehtë, këshillohet që ditët para ndryshimit të mbahet një orar i rregullt gjumi, të shfrytëzohet sa më shumë drita natyrore gjatë ditës dhe të shmangen kafeina dhe vaktet e rënda në orët e vona të mbrëmjes.
Edhe aktiviteti i lehtë fizik mund të ndihmojë trupin të përshtatet më mirë dhe të ruhet një gjumë më cilësor.
