Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka reaguar gjatë protestës pas regjistrimit nga SPAK të kallëzimit penal lidhur me çështjen “Albanian Files”.
Në deklaratën e tij, Shehaj e cilësoi këtë zhvillim si një lajm të rëndësishëm për të ardhmen e Shqipërisë, duke pretenduar se kryeministri Edi Rama është tashmë nën hetim.
Sipas Shehajt, dokumentet e bëra publike në kuadër të çështjes “Albanian Files” tregojnë mënyrën se si, sipas tij, Rama e trajtonte Shqipërinë si një pronë që mund të ndahej mes miqve dhe arkitektëve të tij.
Ai përmendi gjithashtu një komunikim ku njëri prej arkitektëve, sipas tij, i kishte sugjeruar Ramës të bëhej mbret, duke vënë në pikëpyetje nevojën për zgjedhje në Shqipëri.
Në reagimin e tij, kreu i Partisë Mundësia theksoi se askush nuk duhet të jetë mbi ligjin dhe se çdo pretendim duhet të marrë përgjigje përpara drejtësisë.
Reagimi i plotë i Agron Shehajt:
“Lajm i jashtëzakonshëm sot, ndërkohë që protestuesit janë këtu dhe përplasen me policinë.
Edi Rama është zyrtarisht në hetim.
Ju kujtohet? Është ai dokumenti ku të gjithë morën vesh se si Edi Rama ndante Shqipërinë me arkitektët dhe miqtë e tij. Një pjesë ia jepte njërit, një pjesë tjetrit.
Ku njëri nga arkitektët arriti deri aty sa i thoshte Edi Ramës: ‘Ti duhet të bëhesh mbret, nuk ka nevojë Shqipëria për zgjedhje’.
Ky është një lajm shumë i mirë për të ardhmen e Shqipërisë, sepse më në fund askush nuk është i paprekshëm në Shqipëri, as Edi Rama, dhe vendi i tij është para drejtësisë.”
