Dy avionë ushtarakë zbarkojnë në Kosovë një ditë para vendimit në Hagë, KFOR-i forcon masat e sigurisë
Dy avionë të kategorizuar si “ushtarakë/qeveritarë” kanë mbërritur të martën në Kosovë, vetëm një ditë para shpalljes së vendimit përfundimtar ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.
Njëri prej avionëve të KFOR-it u ul në Aeroportin e Prishtinës pasi ishte nisur nga Tbilisi, kryeqyteti i Gjeorgjisë. Sipas të dhënave të FlightRadar, avioni u ngrit nga Tbilisi në orën 03:09 dhe mbërriti në Prishtinë rreth orës 16:15.
Një ditë më herët, i njëjti avion kishte ndjekur itinerarin Belgjikë–Tbilisi, për të vijuar më pas drejt Jerevanit dhe për t’u rikthyer sërish në Tbilisi.
Ndërkohë, një tjetër avion u ul në Prishtinë nga Italia rreth orës 11:30. Edhe ky mjet fluturues ishte i kategorizuar në FlightRadar si avion “ushtarak/qeveritar”.
Të dhënat e platformës tregojnë gjithashtu se një tjetër Bombardier Global 5000 është nisur drejt Kosovës, duke shtuar lëvizjet ajrore të avionëve të kategorisë ushtarake/qeveritare në prag të vendimit në Hagë.
KFOR-i ka konfirmuar ndërkohë se ka ndërmarrë masa operative në kuadër të përgatitjeve për ditën e vendimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Në të njëjtën kohë, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka paralajmëruar qytetarët amerikanë për mundësinë e protestave të mëdha të mërkurën. Në njoftimin e saj, ambasada u ka kërkuar qytetarëve amerikanë që jetojnë në Kosovë të marrin masa paraprake, përfshirë edhe shmangien e dërgimit të fëmijëve në shkollë.
Një paralajmërim të ngjashëm për qytetarët e saj ka bërë edhe Franca, në një kohë kur autoritetet kosovare kanë shtuar masat e sigurisë në prag të një dite me rëndësi të veçantë.
