Një lajm i trishtë ka tronditur skenën muzikore holandeze. Ben Saunders, këngëtari që u bë historik si fituesi i parë i “The Voice of Holland”, është ndarë nga jeta në moshën 43-vjeçare.
Saunders u gjet i pajetë më 15 shtator në zonën e Rijkerswoerdse Plassen, pranë Arnhem, në Holandë. Sipas autoriteteve, trupi i tij u gjet gjatë një operacioni kërkimi dhe u nxor nga liqeni rreth orës 13:20.
Policia holandeze ka konfirmuar vdekjen dhe ka bërë të ditur se, bazuar në të dhënat e deritanishme, nuk ka dyshime për përfshirje kriminale. Shkaku i vdekjes ende nuk është bërë publik.
Lajmi është konfirmuar edhe nga familja e këngëtarit. Vëllai i tij, Dean Saunders, reagoi në rrjetet sociale me një mesazh prekës për humbjen.
“Vëllai im i vogël ka ndërruar jetë. Nuk kam ndier kurrë një dhimbje të tillë”, shkroi ai, duke shprehur pikëllimin e familjes. Në një tjetër postim, Dean i dha lamtumirën të vëllait, duke shkruar se ai do të mbetet gjithmonë në zemrën e tij.
Ben Saunders fitoi famë në vitin 2011, kur triumfoi në sezonin e parë të “The Voice of Holland”. Me këtë sukses, ai u bë fituesi i parë në historinë e formatit “The Voice”, i cili më pas u përhap në shumë vende të botës.
Karriera e Saunders kishte nisur disa vite më herët. Në vitin 2000, ai mori pjesë në programin holandez “Alles voor de band: Follow That Dream” dhe u bë pjesë e grupit Follow That Dream, ku performonte së bashku me vëllain e tij Dean.
Pas suksesit në “The Voice”, Saunders publikoi albumet “You Thought You Knew Me By Now” në vitin 2011 dhe “Heart & Soul” në vitin 2012. Më vonë, ai u angazhua edhe në biznes, duke hapur së bashku me vëllain e tij një studio tatuazhesh.
