Një ngjarje tragjike ka ndodhur mëngjesin e sotëm në San Donà di Piave, pranë Venedikut, ku një 42-vjeçare shqiptare, nënë e tre fëmijëve, ka humbur jetën pasi është përplasur nga një kamion mbeturinash.
Sipas raportimeve, viktima është identifikuar si Lavdije Istrefi. Ajo po shoqëronte vajzën e saj 9-vjeçare për në shkollë kur u përplas nga kamioni, ndërsa humbi jetën në vendngjarje.
Ngjarja ka ndodhur në kryqëzimin me Via Paolo VI, teksa kamioni po kthehej djathtas në një rrugë anësore. Vajza e 42-vjeçares kishte kaluar rrugën pak çaste më parë dhe nuk është lënduar. Megjithatë, sipas raportimeve, ajo ka mbetur në gjendje shoku pasi ka parë aksidentin që i mori jetën nënës së saj.
Mediat italiane raportojnë se një prej pistave që po shqyrtohet lidhet me fushëpamjen e kufizuar të drejtuesit të kamionit, për shkak të pasqyrave të mjetit. Autoritetet po punojnë për të përcaktuar nëse kjo ka ndikuar në aksident.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë ekipet e emergjencës dhe autoritetet lokale. Për nxjerrjen e trupit të 42-vjeçares është përdorur një vinç, pasi dyshohet se ajo kishte mbetur e bllokuar poshtë kamionit.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe në komunitetin lokal dhe te stafi i shkollës ku mëson vajza e viktimës. Sipas raportimeve, mësimi është pezulluar pas tragjedisë.
