Skip to content

Shqiptari që synon Kongresin Amerikan, Robert Lulgjuraj me një hap të madh

“Ka ardhur koha që një shqiptar të jetë pjesë e Kongresit Amerikan.” Me këtë synim, Robert Lulgjuraj ka bërë hapin e radhës në karrierën e tij politike, duke zyrtarizuar kandidaturën për Kongresin e Shteteve të Bashkuara.

Prokurori me origjinë shqiptare dhe anëtar i Partisë Republikane do të garojë për të përfaqësuar Distriktin e 10-të të Michigan-it në zgjedhjet e vitit 2026.

Familja e Lulgjurajt ka rrënjë shqiptare në Mal të Zi. Gjyshërit dhe prindërit e tij u shpërngulën drejt Shteteve të Bashkuara në vitin 1960, duke lënë vendlindjen për t’i shpëtuar komunizmit dhe persekutimit fetar.

Lulgjuraj përfundoi studimet në fushën e Biznesit dhe Shkencave Humane në vitin 2015. Pesë vite më vonë, në vitin 2020, ai mori doktoraturën në drejtësi nga University of Detroit Mercy School of Law.

Interesi i tij për politikën nisi që gjatë viteve universitare. Ai shërbeu si kryetar i të rinjve të Partisë Republikane në qarkun Macomb, ku u angazhua në aktivitetet politike dhe organizative të partisë.

Pas diplomimit, Lulgjuraj nisi punën si avokat në Detroit, ku u mor me një sërë çështjesh penale, përfshirë vjedhje, tentativa vrasjeje dhe trafikim narkotikësh.

Më pas, në detyrën e prokurorit në Wayne County dhe Macomb County, ai është përfshirë në ndjekjen e më shumë se 2,000 çështjeve penale, mes tyre raste të krimit të organizuar dhe veprave të rënda të dhunshme.

Tashmë, Lulgjuraj synon të kalojë nga sistemi i drejtësisë në politikën federale, duke kërkuar një vend në Kongresin Amerikan në zgjedhjet e vitit 2026.

Published inNews Shqip