Skip to content

Bleona Mata pas 16 vitesh/ Përplasje LIVE mes nënës dhe avokatit, zbardhen detaje të reja

Përplasje për deklaratat mbi Bleona Matën, avokati dhe nëna e saj japin versione të ndryshme

Rasti i Bleona Matës është rikthyer në vëmendje pas deklaratave të avokatit Alban Duraj, i cili pak ditë më parë, i ftuar në emisionin “Breaking me Fiori Dardha”, deklaroi se Bleona ishte gjetur dhe se jetonte e birësuar nga një çift grek.

Sipas Durajt, informacioni ishte marrë gjatë një komunikimi që ai pretendon se kishte pasur me nënën e Bleonës, Bukurie Matën.

Deklaratat u mohuan nga avokati i familjes, Idajet Beqiri, i cili i cilësoi ato si të papërgjegjshme dhe tha se Duraj nuk kishte lidhje me çështjen.

Përplasja vijoi në emisionin “Ftesë në 5”, ku përballë u vendosën avokati Alban Duraj dhe Bukurie Mata. Nëna e Bleonës tha se ishte tronditur nga deklaratat dhe mohoi të kishte komunikuar me avokatin.

“Me këtë njeri nuk kam pasur asnjë telefonatë, asgjë. Avokati të bëjë një punë të palodhur, të pastër dhe të vërtetë”, u shpreh ajo.

Nga ana tjetër, Duraj këmbënguli se deklaratat e tij ishin bazuar në një bisedë që, sipas tij, kishte zhvilluar me Bukurie Matën gjatë dhe pas një emisioni në RTSH.

“E kam të regjistruar. Kemi diskutuar gjatë emisionit, në publicitet dhe pasi ka përfunduar emisioni. Kam ofruar kontributin tim”, deklaroi Duraj.

Megjithatë, Bukurie Mata vijoi të mohojë se kishte komunikuar me të dhe paralajmëroi se do të ndiqte rrugë ligjore nëse deklaratat e tij vazhdonin.

Duraj, nga ana tjetër, tha se nuk kishte pasur qëllim të përfitonte nga familja dhe se informacionet e bëra publike ishin, sipas tij, ato që kishte dëgjuar gjatë komunikimit të pretenduar.

Përplasja mes palëve mbetet e fokusuar te pyetja nëse ka pasur apo jo komunikim mes avokatit dhe nënës së Bleona Matës, ndërsa deklaratat e bëra publikisht nga secila palë janë në kundërshtim me njëra-tjetrën.

Published inNews Shqip