Një dosje e përcjellë nga autoritetet italiane ka vënë në lëvizje Prokurorinë e Posaçme (SPAK), e cila ka nisur një hetim të ri për dyshime mbi veprën penale të “Pastrimit të produkteve të krimit”.
Në fokus të hetimeve është Artan Gaçi, bashkëshorti i ish-ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka. Ndërkohë, autoritetet po kryejnë verifikime edhe për përfshirjen e mundshme të ish-ministres në këtë çështje.
Sipas informacioneve të bëra publike, hetimi i ri është regjistruar pasi gjatë një procesi tjetër penal janë zbuluar të dhëna që mund të kenë rëndësi për zbardhjen e aktivitetit të dyshuar.
Bëhet fjalë për transaksione financiare dhe komunikime bankare të gjetura në telefona, të cilat po shqyrtohen nga autoritetet për të përcaktuar nëse kanë lidhje me çështjen që po hetohet.
Gazetari i kronikës, Xhevahir Zhabina, deklaroi gjatë një prononcimi televiziv se hetimet mbështeten në një dosje të ardhur nga Italia, ku përfshihen dyshime për pastrim parash dhe korrupsion.
“Kemi arritur të marrim vetëm disa detaje, sepse është një dosje që ka mbërritur nga autoritetet italiane. Ajo përmban dyshime dhe akuza serioze për pastrim parash dhe korrupsion. Dosja është e pamundur për t’u aksesuar”, u shpreh Zhabina.
Sipas gazetarit, hetimet mund të shtrihen edhe te persona të tjerë me pozita drejtuese. Megjithatë, deri më tani nuk janë bërë publike të gjitha detajet mbi personat e përfshirë dhe transaksionet që po verifikohen.
Artan Gaçi është përballur edhe më herët me hetime nga SPAK, lidhur me çështjen e tjetërsimit të pronave në zonën e Bregdetit Jugor. Ky proces nisi pas një kallëzimi të bërë nga Fredi Beleri dhe u drejtua nga prokurori Olsi Dado.
Procedurat e mëparshme u pushuan nga Prokuroria e Posaçme, ndërsa vendimi u la në fuqi edhe nga gjykatat.
Hetimi i fundit konsiderohet një çështje e veçantë, e mbështetur në të dhëna dhe prova të siguruara gjatë një procesi tjetër penal. SPAK po shqyrton transaksionet dhe komunikimet financiare për të sqaruar origjinën e parave dhe për të verifikuar nëse ekzistojnë elemente që mbështesin dyshimet e ngritura.
Deri në përfundimin e hetimeve dhe një vendimi përfundimtar nga drejtësia, dyshimet e ngritura mbeten objekt verifikimi nga organet kompetente.
