Është identifikuar i dyshuari për ngjarjen e rëndë që tronditi Gjilanin, ku dy persona humbën jetën dhe një tjetër mbeti i plagosur.
Sipas burimeve të Sinjalit, i dyshuari është Valon Ramushi, i cili dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri ndaj bashkëshortes së tij dhe dy vëllezërve të saj, në zonën e Livoqit.
Si pasojë e të shtënave, bashkëshortja e tij dhe njëri prej vëllezërve të saj kanë ndërruar jetë, ndërsa vëllai tjetër ka mbetur i plagosur dhe është dërguar për trajtim mjekësor.
Dyshohet se ngjarja mund të ketë lidhje me një konflikt të mëhershëm, por motivi dhe rrethanat e plota të saj ende nuk janë bërë të ditura dhe po hetohen nga organet kompetente.
Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forca të shumta policore, hetues dhe dy prokurorë të shtetit, të cilët po koordinojnë veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rastit.
Ndërkohë, këqyrja e vendit të ngjarjes dhe mbledhja e provave janë duke vazhduar, ndërsa priten informacione të tjera zyrtare lidhur me këtë ngjarje të rëndë.
