Ndryshimi i stinës po sjell fundin e verës së tejzgjatur, me një rënie të ndjeshme të temperaturave dhe afrimin e vjeshtës tipike. Sipas parashikimit të bërë nga meteorologia Rezarta Xhakollari në emisionin “Takohemi n’Vizion”, muaji tetor do të dominohet nga lagështira dhe shirat e herëpashershëm, duke krijuar një alternim mes ditëve me diell dhe atyre me vranësira.
Për këtë fundjavë pritet një mot i ndarë në dy pjesë: e shtuna do të mbajë kryesisht me diell e kthjellime, ndërsa të dielën reshjet e shiut do të rikthehen në pjesën më të madhe të vendit. Java pasuese do të sjellë sërish përmirësim të motit gjatë fundjavës, por me vlera termike dukshëm më të ulëta.
Sa i përket sezonit dimëror, sinoptikania thekson se nuk parashikohet i ftohtë polar apo ngrica të forta. Pritet një dimër relativisht i butë, me vlera termike më të larta se mesatarja historike dhe reshje shiu të vazhdueshme, duke shmangur kështu acarët e zakonshëm dimërorë.
