Politikani shqiptar në Serbi, Shaip Kamberi, ka bërë të ditur se Koalicioni Shqiptar ka arritur të sigurojë dy mandate në Kuvendin e Serbisë, ndërsa synon të fitojë edhe një mandat të tretë.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Kamberi njoftoi se koalicioni ka grumbulluar gjithsej 27.230 vota. Ai e konsideroi këtë rezultat si një sukses historik për shqiptarët, duke e lidhur me bashkimin politik dhe mbështetjen e qytetarëve.
Kamberi, i cili kryeson listën zgjedhore, falënderoi votuesit nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja për besimin e dhënë, si dhe subjektet politike që kontribuuan në bashkimin e tyre. Ai shprehu gjithashtu mirënjohje për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për angazhimin e tij.
Sipas tij, ky rezultat përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të përfaqësimit politik të shqiptarëve në Serbi dhe avancimit të të drejtave të tyre.
