Skip to content

Pas humbjes së Vuçiçit në zgjedhje, vjen reagimi i parë nga qeveria Rama!

Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë ka reaguar pas zgjedhjeve parlamentare në Serbi, duke përgëzuar Listën Studentore për rezultatin e arritur, si dhe shqiptarët e Luginës së Preshevës për përfaqësimin e tyre në këtë proces zgjedhor.

 

Në deklaratën zyrtare, diplomacia shqiptare vlerëson pjesëmarrjen e qytetarëve në zgjedhje dhe thekson rëndësinë e votës së lirë si një element thelbësor të demokracisë.

 

Një vëmendje e veçantë i është kushtuar Koalicionit Shqiptar në Luginën e Preshevës, i cili, sipas projeksioneve paraprake, pritet të sigurojë dy mandate në Kuvendin e Serbisë, ndërsa gara për një mandat të tretë mbetet e hapur.

 

Tirana zyrtare nënvizon se ky përfaqësim duhet të shfrytëzohet për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve, garantimin e trajtimit të barabartë dhe zgjidhjen e problematikave me të cilat përballet komuniteti shqiptar në Serbi.

 

Në reagim, Ministria e Jashtme thekson gjithashtu se zhvillimet e reja politike në Serbi duhet të krijojnë mundësi për përmirësimin e marrëdhënieve me Kosovën.

 

Shqipëria kërkon angazhim konstruktiv në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian, zbatimin e marrëveshjeve të arritura dhe hapa konkretë drejt ndërtimit të marrëdhënieve të qëndrueshme mes dy vendeve.

 

Në përfundim, diplomacia shqiptare shpreh gatishmërinë për të bashkëpunuar me institucionet që do të dalin nga procesi zgjedhor, me synimin për të forcuar stabilitetin, sigurinë dhe bashkëpunimin rajonal, si dhe për të mbështetur rrugën europiane të Ballkanit Perëndimor.

Published inNews Shqip