Skip to content

Ambasadorja holandeze reagon për protestat në Shqipëri: Dhuna na ka tronditur, ja mesazhi i saj

Ambasadorja e Holandës në Shqipëri, Marleen Monster, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit dhe protestat e zhvilluara në vend, duke i cilësuar shqetësuese skenat e dhunës.

 

Gjatë një deklarate për mediat në Korçë, pas një takimi me përfaqësues të institucioneve ligjzbatuese, diplomatja foli për disa çështje të rëndësishme, mes tyre lirinë e medias, luftën kundër korrupsionit, forcimin e shtetit të së drejtës dhe protestat qytetare.

 

Duke komentuar raportin e progresit të Komisionit Europian për Shqipërinë, Monster vlerësoi hapat pozitivë të ndërmarrë nga vendi, por theksoi se mbeten ende fusha që kërkojnë përmirësime të mëtejshme. Në veçanti, ajo përmendi lirinë e medias dhe të shprehjes si çështje që kanë nevojë për më shumë vëmendje.

 

Sa u përket protestave, ambasadorja nënvizoi se tubimet qytetare janë një e drejtë themelore, por dhuna nuk mund të justifikohet. Ajo u shpreh se pamjet e dhunshme gjatë protestave kanë shkaktuar habi dhe tronditje.

 

Intervista e plotë:

 

Pyetje: Cili është vlerësimi juaj për raportin e Komisionit Europian lidhur me lirinë e medias?

 

Ambasadorja Marleen Monster: Raporti i progresit përmban vlerësime pozitive për arritjet e Shqipërisë, por njëkohësisht evidenton edhe problematika që kërkojnë ende angazhim dhe përmirësim. Një prej tyre është liria e medias dhe e shprehjes. Pikërisht për këtë arsye ndodhemi sot në Korçë, për të diskutuar se si këto të drejta mund të mbrohen dhe të garantohen edhe përmes sistemit gjyqësor.

 

Pyetje: Si e vlerësoni luftën kundër korrupsionit dhe protestat e studentëve e qytetarëve kundër tij?

 

Ambasadorja Marleen Monster: Holanda ndjek një qasje të bazuar në tri parime kryesore: të jetë strikte, e drejtë dhe e angazhuar. Ne synojmë të vijojmë mbështetjen për Shqipërinë në procesin e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, duke shfrytëzuar të gjitha mundësitë që kemi në dispozicion.

 

Pyetje: Çfarë duhet të bëjë më mirë Shqipëria për forcimin e shtetit të së drejtës?

 

Ambasadorja Marleen Monster: Shqipëria ka ndërmarrë një sërë reformash, përfshirë reformën në drejtësi, e cila tashmë ka hyrë në një fazë të re, atë të konsolidimit. Megjithatë, rëndësi nuk ka vetëm ajo që parashikohet në dokumente, por edhe mënyra se si reformat zbatohen në praktikë dhe përmbushja e plotë e angazhimeve të ndërmarra.

 

Published inNews Shqip