Qeveria miraton rregulla të reja për ndërtimet turistike, certifikatë të detyrueshme para lejes së ndërtimit
Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim të ri që ndryshon kriteret për ndërtimin dhe administrimin e strukturave akomoduese turistike në Shqipëri. Rregullat e reja përfshijnë hotelet, resortet, apart-hotelet, apartamentet dhe vilat që parashikohen të përdoren për qëllime turistike.
Një nga risitë kryesore të vendimit është krijimi i kategorisë së re “resort miks”, e cila lejon ndërthurjen e strukturave turistike me njësi rezidenciale, si apartamente dhe vila për banim.
Sipas kritereve të miratuara, të paktën 60% e sipërfaqes totale të ndërtimit duhet t’i dedikohet funksioneve turistike, ndërsa pjesa rezidenciale nuk mund të kalojë 40%.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me dokumentacionin që duhet të sigurojnë projektet e reja. Përpara marrjes së lejes së ndërtimit, investitorët do të duhet të pajisen me një **certifikatë paraprake kategorizimi**, të lëshuar nga ministria përgjegjëse për turizmin.
Ky dokument do të vërtetojë nëse projekti përmbush kriteret e kategorisë turistike për të cilën është paraqitur. Megjithatë, certifikata nuk zëvendëson lejen e ndërtimit apo dokumentet e tjera të kërkuara nga legjislacioni.
Vendimi parashikon gjithashtu që apartamentet, vilat dhe dhomat e destinuara për akomodim turistik të jenë pjesë e resortit dhe të funksionojnë nën një administrim dhe menaxhim të përbashkët.
Ndërkohë, banesat e ndërtuara jashtë strukturës së resortit nuk do të mund të ofrohen për akomodim turistik në kuadër të këtij modeli.
Përmes këtij vendimi, qeveria synon të përcaktojë më qartë mënyrën e zhvillimit të projekteve turistike, duke vendosur kritere për ndarjen e hapësirave turistike dhe rezidenciale, si dhe për administrimin e tyre.
Vendimi përcakton gjithashtu kategoritë e strukturave akomoduese, ku përfshihen bujtinat, fjetinat, kampingjet, hotelet, motelet, resortet, qendrat kurative, strukturat “Fjetje dhe mëngjes” (B&B), apart-hotelet dhe strukturat akomoduese të trashëgimisë kulturore.
