Aksident tragjik në Durrës, humb jetën 81-vjeçari, policia shoqëron drejtuesen 26-vjeçare
Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e sotme në qytetin e Durrësit, ku një këmbësor 81-vjeçar ka humbur jetën pasi është përplasur nga një automjet.
Viktima është identifikuar si Besim Zylfa, 81 vjeç. Ndërkohë, automjeti që u përfshi në aksident drejtohej nga një 26-vjeçare, e identifikuar si Klarisa Gjepali.
Aksidenti ndodhi rreth orës 19:12, në lagjen nr. 14 të Durrësit. Përplasja shkaktoi plagosjen e rëndë të të moshuarit, i cili fatkeqësisht nuk arriti t’u mbijetonte dëmtimeve të marra.
Pas ngjarjes, drejtuesja e automjetit është shoqëruar në ambientet e Policisë, ku do të kryhen procedurat e nevojshme ligjore.
Ndërkohë, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur shërbimet përkatëse, ndërsa grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për të përcaktuar rrethanat dhe mënyrën se si ndodhi aksidenti.
Hetimet janë në vijim për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje tragjike.
