Teksa Shqipëria synon të bëhet pjesë e Bashkimit Europian deri në vitin 2030, reforma e sistemit të pensioneve mbetet një ndër sfidat më të rëndësishme për vendin. Ekspertët e ekonomisë ngrenë shqetësimin për nivelin e ulët të pensioneve dhe vështirësitë ekonomike me të cilat përballen mijëra të moshuar.
Ekspertja e ekonomisë, Teuta Nunaj, thekson se çështja e pensioneve nuk duhet parë vetëm si një problem financiar apo statistikor, por si një çështje që lidhet drejtpërdrejt me dinjitetin dhe mirëqenien e qytetarëve. Rritja e vazhdueshme e kostos së jetesës, e ndikuar edhe nga krizat ndërkombëtare, e bën gjithnjë e më të vështirë përballimin e shpenzimeve të përditshme.
Sipas Nunajt, Bashkimi Europian nuk përcakton nivele të detyrueshme për pagat apo pensionet, pasi këto vendosen nga vetë shtetet. Megjithatë, një problem shqetësues mbetet fakti se shumë pensionistë në Shqipëri nuk arrijnë të jetojnë vetëm me të ardhurat që marrin nga pensioni dhe detyrohen të mbështeten te fëmijët apo familjarët e tyre.
Shifrat tregojnë se rreth 500 mijë pensionistë marrin më pak se 20 mijë lekë në muaj, një shumë që vështirë se mund të mbulojë nevojat bazë dhe shpenzimet minimale të jetesës. Kjo situatë shton presionin mbi skemën publike të pensioneve dhe e bën reformën edhe më të domosdoshme.
Një tjetër çështje me rëndësi në procesin e integrimit europian është njohja e viteve të kontributeve të qytetarëve që kanë punuar në vende të ndryshme të Bashkimit Europian.
Ekspertja Nunaj shpjegon se, me anëtarësimin e Shqipërisë në BE, marrëveshjet dypalëshe, si ajo me Italinë, do të zëvendësohen nga kuadri i përbashkët ligjor europian. Kjo do të mundësojë bashkimin e periudhave të sigurimit të realizuara në shtete të ndryshme, duke lehtësuar procedurat për qytetarët që kanë punuar jashtë vendit dhe duan të përfitojnë pensionin e tyre.
